Studio Ligjore e Kontabiliteti

Albanian-Language English

Regjistrimi fillestar i biznesit

Referenca ligjore:
• Ligji Nr. 9723, datë: 03.05.2007, “Për Regjistrimin e Biznesit”, i ndryshuar.
• Ligji Nr. 9901, datë: 14.04.2008, “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”, i ndryshuar.
Detyrimi primar, për çdo person fizik apo person juridik, që kërkon të ushtrojë veprimtari tregtare në Republikën e Shqipërisë, është regjistrimi i tij në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

Subjektet që detyrohen të regjistrohen në regjistrin tregtar të mbajtur nga QKB janë:
1. Personat fizikë, që ushtrojnë veprimtari ekonomike tregtare;
2. Shoqëritë e thjeshta sipas dispozitave të Kodit Civil;
3. Shoqëritë tregtare;
4. Degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja;
5. Shoqëritë dhe unionet e kursim-kreditit;
6. Çdo subjekt tjetër, për të cilin parashikohet detyrimi për regjistrim, në bazë të legjislacionit shqiptar.

Subjektet e regjistruara sipas Ligjit Nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për Regjistrimin e Biznesit, i ndryshuar”, pajisen me numër unik identifikimi (NUIS/NIPT) të gjeneruar elektronikisht. Regjistrimi në regjistrin tregtar përbën, gjithashtu, regjistrim të njëkohshëm të tyre pranë administratës tatimore, qëndrore dhe vendore, në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe pranë inspektoratit të punës.
Regjistrimi kryhet pranë të gjitha sporteleve të QKB-së ose online në platformën eAlbania. Për më tepër klikoni këtu.
Çfarë duhet për regjistrim fillestar?
• Formulari i aplikimit;
• Dorëzimi i aplikimit për regjistrim në QKB;
• Dokumentet shoqëruese.
Listën e dokumenteve shoqëruese për regjistrim, mund ta gjeni në sportelet e shërbimit ose në faqen zyrtare të internetit të QKB-së.
Pas miratimit të aplikimit, QKB njofton në mënyrë elektronike organet tatimore (qëndrore dhe vendore) për regjistrimin e një subjekti të ri për efekte fiskale si dhe përcjell elektronikisht të dhënat e subjektit (NUIS/NIPT etj.).